Visa Platinum Linux për shpëtimin e Linux
Linux Foundation, shoqata jofitimprurëse e cila mbështet Linuxin, ka paralajmëruar paraqitjen e kredit kartelës së parë Visa Platinum "Pinguin" e cila mundëson dhënien e kontributit për komunitetin Linux.
Në bashkëpunim me Visa-n, do t’u mundësohet të gjithë përdoruesve të sistemit operativ Linux t’i japin mbështetje lëvizjes, si dhe mbështetje financiare për të gjitha iniciativat e Fondacionit Linux. Falë bashkëpunimit me CardPartner e UMB Bank, Fondacioni Linux do të pranojë $50 dollarë për aktivizimin e secilës kartelë dhe një përqindje të vogël në secilin transaksion të bërë me të.
"Kjo kartelë krediti është përgjigje në kërkesat e atyre të cilët duan të përfshihen në mbështetjen e Fondacionit Linux", ka deklaruar Jim Zemlin, drejtor i Fondacionit.
"Disa shkruajnë kode, tjerët punojnë në marketing apo mbrojnë Linuxin. Kartela e kreditit me shenjën Linux është mënyrë e thjeshtë për secilin që të kontribuojë në zhvillimin e Linuxit dhe të identifikojë veten si mbështetës të komunitetit, duke pasur një pinguin në xhep", ka shtuar ai.
Aktualisht, kredit kartelën mund ta aktivizojnë vetëm ata në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por në muajt e radhës do të përfshihen edhe shtetet tjera.