by MBerisha Fri Jun 05, 2009 3:15 pm
Përurohet tuneli që lidh Shqipërinë me Kosovën
Rrëzohet muri që 'ndante' Shqipërinë me Kosovën dhe shënon hapjen zyrtare tuneli i Kalimashit. Kryeministri shqiptar Sali Berisha dhe ai kosovar Hashim Thaçi janë takuar mes tyre në mes të tunelit të Kalimashit, duke bërë në këtë mënyrë edhe inaugurimin e kësaj pjese të autostradës Durrës-Kukës-Prishtinë.
Kryeministri Berisha, është nisur në këmbë nga njëri krah i tunelit, prej kantierit të ndërtimit në Thirrë, ndërkohë që Thaçi, ishte nisur prej anës tjetër të tunelit nga Kalimashi. Ata u takuan në mes të tunelit dhe më pas do të përshkojnë më këmbë 100 metërshin e fundit drejt hyrjeve të tunelit nga zona e Kukësit.
Ishte kryeministri Berisha, që, hipur në një ekskavator në mënyrë simbolike ka gërmuar, duke rrëzuar dhe pengesën e fundit në beton, që shënon përfundimisht hapjen e tunelit.
Një ceremoni e përgatitur prej ditësh, që zhvillohet një ditë para mitingut të madh të fushatës, njoftuar nga Partia Demokratike. Delegacioni i kryeministrit Berisha përbëhet nga 14 ministrat e tij dhe kandidatët e PD-së për zgjedhjet e 28 qershorit, ndërkohë që një tjetër delegacion zyrtar eshte nisur nga Prishtina.
Rruga e re do të kalojë në akset Durrës- Vorë- Fushë Krujë- Milot- Rrëshen- Reps- Thirrë- Kalimash- Kukës- Morinë dhe ka një gjatësia prej 170 km.
Punimet për hapjen e këtij tuneli nisën dy vjet më parë kompania amerikane "Bektel" dhe kompania nënkontraktuese turke "Enka", dhe u punësuan rreth 3400 punonjës, shumica shqiptarë, si dhe në funksion të vazhdimit normal të punës u vunë mbi 1300 mjete të llojeve të ndryshme
Shpejtësia e planifikuar për të ecur në këtë rrugë është 80- 100 km /orë. Pjesë e kësaj rruge me dy korsi janë 27 ura. Autostrada do të jetë gati 45 km më e shkurtër se rruga ekzistuese drejt Kosovës, dhe koha e udhëtimit do të reduktohet në dy orë, nga gjashtë orë që është sot.
"Dëshiroj t'u përshëndes të gjithëve përzemërsisht dhe të ndaj me ju gëzimin e madh të shndërrimit sot në këtë moment të një ëndrre gjithëshqiptare në një realitet. Sot inauguruam tunelin që bashkoi jo vetëm shqiptarët, por me shërbimet që ofron në fushën e transportit e qarkullimit i bashkon më shumë me rajonin, maqedonasit, serbët bullgarët. Tuneli, do të bëjë që brigjet e Shqipërisë e portet e saj t'i shërbejnë, jo vetëm shqiptarëve në Shqipëri e Kosovë, por të gjithë kombeve të rajonit", tha kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.
"Në Kalimash sjell mesazhin e përgëzimit të qeverisë së Kosovës për këtë kryevepër. Ekziston një lidhje shumë e fuqishme mes këtij rrugëtimi e Kosovës. Janë të shumta e të pallogaritshme herët kur unë me luftëtarët e mi e bëmë në këmbë këtë rrugë për lirinë e vendit. Sot Kosova e Shqipëria janë si kurrë ndonjëherë më pranë njëra-tjetrës e do të afrohen më tepër. Ato janë pranë njëra-tjetrës e kështu do jemi përgjithmonë. Kemi qenë të ndarë me shekuj, por kurrë nuk kemi qenë larg", është shprehur kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. /Shekulli/Telegrafi/