by MBerisha Sun Jun 28, 2009 1:37 pm
Kriza në Kosovë, shqetësim vetëm remitencat
Me gjithë shtrirjen e krizës, autoritetet kosovare thonë se ekonomia e Kosovës, gjatë vitit 2008, kishte një rritje reale të produktit të brendshëm bruto prej 5.4 %. Rritja ekonomike në vitin 2008, sipas tyre, u gjenerua nga rritja e konsumit privat dhe e investimeve publike, të cilat, në masë të madhe, u financuan nga kreditë e sektorit privat, dërgesat e emigrantëve, rritja e konsiderueshme e shpenzimeve publike, si dhe nga asistenca e jashtme.
Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, thotë se nga indikatorët ekonomikë që përcjellin, në baza ditore, trendët e krizës ekonomike, nuk ka ndonjë shqetësim shumë të madh në indikatorët makroekonomikë, përveç në eksport, e që, në fakt, sipas tij, kjo fushë nuk ka qenë një faktor shumë signifikant në strukturën ekonomike të Kosovës.
“Të gjithë parametrat tregojnë se gjendja në sistemin bankar është stabile, depozitat janë rritur, kthimi i kredive është në rritje, kreditë e këqija janë në zvogëlim nga 4,9 në 3,2. Kjo nënkupton që biznesi kosovar është stabil”, thotë ministri Shala.
Ministri Shala thotë se shqetësim për kosovarët është mundësia e uljes së remitencave. Sipas tij, kjo do të vërehet varësisht se sa afekton kriza ekonomike kosovarët që janë duke punuar në botën e jashtme, si dhe nga tkurrja e investimeve të huaja ndaj projekteve për Kosovën.
“Deri më tani, nuk ka ndonjë shenjë të fuqishme që mund të paraqesë shqetësim. Ne kemi ndërtuar mekanizmat tonë intervenues për çdo rast, por shpresoj që kjo të mos ndodhë asnjëherë në vitet e ardhshme”.
”Shifrat e para të këndelljes ekonomike kanë filluar të shihen në horizontet botërore. Unë shpresoj që nga pjesa e dytë e këtij viti do të fillojë një rigjallërim apo një ndalje e trendit negativ botëror dhe me këtë Kosova do të kalojë më lehtë”, deklaroi zoti Shala.
Përkundër asaj që kriza ekonomike globale është në rënie e sipër të këtij recesioni, ekspertë për çështje ekonomike thonë se gjatë këtij viti, bizneset kosovare do të preken edhe më tepër nga kriza globale.
Eksperti për çështje ekonomike, Flamur Keqa, thotë se trendi i zvogëlimit të investimeve të jashtme, i cili ka vazhduar në vitin 2008 dhe i cili ka qenë më i ulët për 13 apo 14 për qind në krahasim me vitin 2007, do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2009.
“Viti 2009 ka ende problem me ekonominë botërore dhe me ekonominë rajonale dhe interesi i këtyre vendeve për të investuar në Kosovë do të jetë më i vogël. Kështu që bizneset dhe ekonomia kosovare do të ndjejnë akoma krizën ekonomike globale”, thotë zoti Keqa.
Sipas tij, ekonomitë e huaja nuk do të jenë të interesuara që produktet kosovare t’i pranojnë në tregjet e tyre, sepse, siç thotë Keqa, secili shtet, duke filluar nga shtetet e zhvilluara industriale, është duke zhvilluar moton “Konsumoni produktet vendore”. /rel/