by NIKE Sat Jun 13, 2009 7:36 am
Hysi fitues i Kupës së Kosovës
Ekipi i Hysit ka arritur të mposhtë me rezultat minimal, 2-1, ekipin kryeqytetas, Prishtinën, për t’u shpallur fitues i Kupës së Kosovës.
Pjesa e parë
Hysi kaloi në epërsi në minutën e 15-të të ndeshjes me anë të Labinot Osmanit. Sulmuesi bardhezi, depërtoi në mes të mbrojtjes kundërshtare, dhe shfrytëzoi një dalje të hershme të portierit Feim Statovci, për t’i dhënë avantazhin Hysit.
Pavarësisht avantazhit, lojtarët bardhezi vazhduan të kërkojnë dyfishimin e rezultatin dhe patën një rast edhe pas tre minutash tjera me anë të Mentor Zhdrella.
Prishtinasit në anën tjetër krijuan shumë pak raste në pjesën e parë, me anë të Berat Hysenit dhe Agron Skeraj, por nuk arritën të gjejnë rrjetën e portierit kundërshtar, Flamur Neziri.
Pjesa e dytë
Prishtina pati raste të barazojë në pjesën e dytë me anë të Hysenit, por sërish mbrojtja e Hysit reagoi në mënyrë të duhur. Hysi u mundua në disa raste me kundërsulme, por në disa raste Osmani nuk ishte i saktë si në pjesën e parë.
Prishtina shënoi një gol 26 minuta në pjesën e dytë, por Suad Saliagic doli të kishte shënuar nga pozita jashtë loje. Megjithatë shpërblimi për kryeqytetasit erdhi pas gjashtë minutash tjera, kur një harkim i Maliqit gjeti në zonë Mirsad Idrizin, i cili shënoi nga afërsia (77’).
Disa minuta më vonë Prishtina pati edhe një tentim tjetër, kur Skeraj dërgoi një goditje të fortë në drejtim të portës kundërshtare, por portieri Neziri bëri një hedhje spektakolare për të mbrojtur.
Megjithatë gjithçka përfundoi keq për Prishtinën, kur pas një kundërsulmi të Hysit, Elami Berisha shënoi një gol të bukur duke paraboluar portierin Feim Statovci, gol që i dha edhe triumfin në Kupë ekipit të Hysit.