by MBerisha Wed Jun 10, 2009 5:33 am
Shqipëria dënohet në fund
Takimi i zhvilluar të shtunën mbrëma në stadiumin "Qemal Stafa", ndërmjet Shqipërisë dhe Portugalisë, ka përfunduar me fitoren e përfaqësueses mysafire me rezultat prej 2-1.
Ndeshja kualifikuese e grupit të Parë për Kampionatin Botëror 2010, ishte një përballje e cila Shqipërisë i nevojitej vetëm për statistika dhe për prestigj, ndërkohë që kjo ndeshje ishte vitale për Portugalinë, pasi që vetëm fitorja mbante gjallë shpresat për të udhëtuar në Afrikën e Jugut.
Pjesa e parë
Portugalia ishte skuadra e cila dominoi në pjesën më të madhe të fraksionit të parë të lojës, mirëpo vendasit ishin të rrezikshëm dhe patën momentet e tyre, kështu që pas 45 minutave të para rezultati ishte i barabartë, 1-1.
Golin e parë në ndeshje e shënoi përfaqësuesja mysafire pas një përgjumje të mbrojtjes kuqezi që nuk arriti të largonte një krosim të mbrojtësit Bosingëas, të cilin e shfrytëzoi Hugo Almeida për të shënuar në portën e Hidit (27’).
Mirëpo, ky gol nuk ndikoi aspak në moralin Kombëtares, e cila reagoi shumë shpejt duke barazuar rezultatin. Golin e barazimit e shënoi sulmuesi Erjon Bogdani, i cili kërceu më së larti pas një krosimi të Ervin Skelës dhe e mposhti portierin mysafir, Eduardo (28’).
Deri në fund të pjesës së parë nuk u shënuan më gola dhe skuadrat shkuan në pushim me rezultat të barabartë.
Pjesa e dytë
Në fraksionin e dytë të lojës pamë një Shqipëri ndryshe, e cila në disa rate e vuri në vështirësi skuadrën mysafire.
Megjithatë portugezët vazhdonin të ishin të rrezikshëm kohë pas kohe, por duke mos qenë të saktë para portës shqiptare.
Duhet përmendur se lojtari më i mirë në botë për sezonin e kaluar Cristiano Ronaldo- i etiketuar nga tifozët kuqezi si “Miss Bota 2010”- nuk arriti të tregohet përballë mbrojtjes kuqezi.
Nga ana tjetër, në minutën e 59-të sulmuesi i Chievos, Erjon Bogdani, bëri një depërtim të shkëlqyer në zonën e rrezikshme të skuadrës mysafire, mirëpo ndërhyrjen e Ricardo Carvalhos, gjyqtari i ndeshjes nuk e sanksionoi me penallti.
Megjithatë, si gjithmonë tradita vazhdon dhe përfaqësuesja e Shqipërisë ndëshkohet në fund. Një dalje të gabuar të portierit Hidi e dënoi Bruno Alves i cili shënoi golin e fitores për Portugalinë (93’).
Duke lënë anash rezultatin e ndeshjes, duhet vlerësuar se Kombëtarja kuqezi bëri një paraqitje të mirë në këtë ndeshje nën udhëheqjen e trajnerit të ri Josip Kuze.