by MBerisha Fri May 08, 2009 8:32 am
Spektakli vazhdon...
Ndeshja e dytë gjysmëfinale e Ligës së Kampionëve, e zhvilluar të mërkurën mbrëma në Stamford Bridge, ndërmjet Chelseat dhe Barcelonës, ka përfunduar me rezultat të barabartë prej 1-1.
Takimi i parë ndërmjet këtyre skuadrave i zhvilluar në Camp Nou kishte përfunduar 0-0, dhe me këtë rezultat skuadra e Barcelonës kualifikohet në finale të Ligës së Kampionëve falë golit në terren mysafir, dhe me 27 maj do të ndeshet me Manchester Unitedin në Romë.
Chelsea luajti në mungesë të portugezëve të lënduar, mesfushorit Deco dhe qendërmbrojtësit Ricardo Carvalho, ndërsa te Barcelona munguan dy qendërmbrojtësit Carles Puyol dhe Rafael Marquez, dhe sulmuesi Thierry Henry.
Në mungesë të opsioneve në mbrojtje, trajneri mysafir, Pep Guardiola, tërhoqi mesfushorin Yaya Toure në mbrojtje, i cili luajti krahas të riut Gerard Pique.
Pjesa e parë
Si gjithmonë, Barcelona e filloi ndeshjen me mënyrën e vet të lojës duke menaxhuar ndeshjen dhe duke poseduar topin, mirëpo me daljen e parë në gjysmën kundërshtare, skuadra e Chelseat dënoi.
Ishte mesfushori Michael Essien, i cili me një ‘volej’ dhe me ndihmën e transversales shënoi një gol të bukur për t’ia dhënë avantazhin skuadrës me fanellat e kaltra (9’).
Përkundër se Blaugranët kishin posedimin e topit dhe ishin të saktë në pasimet e tyre dhe në zhvillimin e lojës, ishin pikërisht Blutë ata të cilët rrezikuan më shumë deri në fund të fraksionit të parë të lojës.
Dy raste shumë të mira që vlejnë për t’u përmendur i pati Didier Drogba, i cili në momentet e fundit u ndalua nga portieri dhe lojtarët mysafirë.
Ndërkohë katalunasit vazhduan me lojën e tyre deri në fund të pjesës së parë, por nuk arritën ta thyenin Chelsean, skuadër e cila kur ishte nevoja mbrohej me të gjithë lojtarët, ndërsa njëkohësisht ishte shumë e rrezikshme me anë të kundërsulmeve.
Skuadrat shkuan në pushim me rezultatin prej 1-0 në favor të skuadrës vendase, rezultat i cili e dërgonte Chelsean në Romë.
Pjesa e dytë
Sikurse në gjysmën e parë edhe në fraksionin e dytë të ndeshjes, mysafirët filluan furishëm duke zhvilluar lojën në gjysmën e fushës që i takonte Chelseat, por sa vlente kjo kur katalunasit nuk arrinin ta thyenin mbrojtjen e fuqishme të skuadrës vendase.
Nga ana tjetër, edhe në pjesën e dytë (53’) Blutë kanë mundur ta dënojnë Barcelonën, kur Didier Drogba e pati një super-rast, pas një pasimi të bukur të Nicolas Anelkas, mirëpo sulmuesi nga Bregu i Fildishtë sërish nuk u tregua efektiv i vetëm përballë portierit Victor Valdez.
Në minutat në vazhdim Barcelona vazhdoi të tregonte lojë, por jo edhe efekt, ndërsa edhe më keq për Blaugranët u bë në minutën e 66-të kur pas një ndërhyrjeje në Nicolas Anelkan, Eric Abidal u përjashtua nga ndeshja me karton të kuq, pasi që ishte lojtari i fundit në mbrojtje.
Megjithatë, edhe pse me një lojtar më pak në fushë, Barca nuk ndalej së zhvilluari lojën e vet, sidomos falë lëvizjeve të Lionel Messit dhe lojtarëve të mesfushës, mirëpo edhe më tutje mungonte goli i barazimit, i cili i dërgonte mysafirët në finale.
Edhe pse nuk zhvillonin lojë të bukur, Blutë ishin shumë të rrezikshëm sa herë që e merrnin topin në këmbët e tyre dhe me anë të kundërsulmeve kanë mundur t’i japin fund shpresave të Barcelonës, ndërkohë që pati edhe dy raste të kontestueshme për penallti në favor të vendasve.
Blaugranët vazhduan deri në fund të takimit të kërkonin golin, i cili i dërgonte në finalen e 27 majit, dhe në minutën e tretë shtesë të takimit (90’+3), Andres Iniesta e shënoi golin i cili e dërgon Barcelonën në finalen e Romës ku do të përballet me kampionin në fuqi, Manchester United.