Mania për Facebookun nuk ka të ndalur; nuk kemi aspak dyshim se së shpejti secili prodhues i harduerëve do të pohojë se pajisja e tyre është “e gatshme” për Facebookun dhe rrjetet tjera shoqërore në internet. Kështu operatori mobil britanik 3 ka paraqitur pajisjen INQ1, që është një celular i punuar veçanërisht për punë me Facebookun.
INQ1 në fakt është një telefon i mençur standard. Dimensionet e tij janë 97 x 47.6 x 14.4 mm, derisa pesha 110 gramë. Bateria do të mundësojë 329 orë në pritje dhe 324 minuta bisedë. Ekrani i integruar ka diagonale prej 2.2 inçësh, kamera është me rezolucion 3.2 megapiksela, pajisja përmban lidhje HDSPA, derisa sa i përket memories, në të gjenden 50 MB intern dhe 4 GB ekstern.
Ajo që e dallon INQ1 nga konkurrenca, është softueri i veçantë i cili do të duhej të lehtësonte punën me bashkësitë shoqërore dhe shërbimet, siç janë Facebook, Skype, Windows Live Messenger dhe Last.FM.