Prodhuesi më i madh evropian i automjeteve është duke menduar për mbylljen e fabrikës të vet në Wolfsburg për tri javë rresht, njofton Bloomberg.
As në Volkswagen nuk janë krejtësisht imun ndaj krizës financiare botërore dhe rënies drastike të shitjes së automjeteve. Prodhuesi gjerman do të ndalojë prodhimin në fabrikën e vet më të madhe në Gjermani për tri javë për të zvogëluar numrin e automjeteve në magazinë.
Fabrika në Wolfsburg në të cilën, në mes tjerash, prodhohet edhe Golfi i ri i gjeneratës së gjashtë punëson 44.000 njerëz, respektivisht diç më pak se një e katërta e fuqisë së përgjithshme të Volkswagenit në Gjermani.
“Festimet e Krishtlindjeve” për të punësuarit do të duhej të zgjasnin nga 18 dhjetori deri më 11 janar, edhe pse ekzistojnë shenja se pjesë të caktuara të fabrikës do të shuhen qysh më 5 janar të vitit të ardhshëm.