Shfletuesi norvegjez Opera në versionin e tij 10 është në
radhën e atyre që së fundi janë paraqitur në treg, derisa mundësitë e
tij të shumta kanë sjellë deri tek numri rekord i shkarkimeve, i cili,
sipas pohimeve zyrtare të kompanisë, gjatë javës së parë të paraqitjes
është shkarkuar dhjetë milionë herë.
“Edhe pse me paraqitjen e çdo versioni të ri shënojmë numër më të
madh të shkarkimeve të Operas, versioni më i ri 10 ka tejkaluar të
gjitha parashikimet tona”, ka deklaruar Jon von Tetzchner, drejtor
ekzekutiv i kompanisë Opera Software. “Si arsye kryesore për këtë e
shohim opsionin Turbo të cilin e kemi integruar në Opera”, ka shtuar ai.
Më thjeshtë, opsioni Opera Turbo është një formë e shfletuesit e
cila mundëson kompresimin e trafikut të rrjetit deri në 80 për qind, me
të cilën gjë përdoruesit fitojnë përvojë më të shpejtë gjatë shfletimit
të përmbajtjeve të internetit.
Se a do t’i ndihmojë ky version i ri i Operas kompanisë që të ketë
pjesëmarrje në tregun e shfletuesve, mbetet të shihet. Sipas disa të
dhënave, Opera aktualisht mban pjesëmarrje prej vetëm 2.1 për qind dhe
është e radhitur në vendin e pestë të shfletuesve më të përdorur.
www.opera.com/browser