Vetëm disa orë pasi Michael Jackson ka ndërruar jetë, kanë filluar të qarkullojnë thashetheme rreth koncerteve londineze të planifikuara nga këngëtari i ndjerë.
Sipas mediave në internet, Justin Timberlake është një prej yjeve i cili mendon të nderojë Michaelin duke shpëtuar koncertet e tij tashmë të shitura.
Krijuesi i hitit “Cry Me a River” duket se po nxit organizimin e një shou memorial në O2 Arena të Londrës, për të mbajtur zi për vdekjen e Mbretit të Popit dhe t’i lejojë fansat të shfaqin respektin për këngëtarin e ndjerë.
“Michael ka qenë idhulli i Justin, si edhe i shumë artistëve të tjerë. Ai për momentin ende është i tronditur, por tashmë ka një ndjenjë se ai dhe ndoshta edhe disa yje të tjerë të industrisë argëtuese të bëjnë diçka për të treguar admirimin për Michael dhe muzikën e tij”, ka thënë burimi.