Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” kritikoi sot KZAP-in dhe KQZ-në për dhënien e deklaratave kundërthënëse dhe zvarritjen e vendimit, pas rinumërimit të votave, për kryetar të Komunës së Gjilanit.
Ismet Kryeziu, përfaqësues i këtij koalicioni, akuzoi shefin e Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (KZAP), Tahir Rrecaj, se ka bërë deklarata kundërthënëse për marrjen e vendimit që të shkohet në rivotim në tri komunat e Kosovës.
“Deklaratat e tij të fundit publike, që KZAP-i nuk i ka hetuar në mënyrë të mirë, por i ka pasur dy ndërkombëtarë, të cilët i kanë hetuar, dmth. janë deklarata kundërthënëse që deri tani kemi pasur nga ana e KZAP-it, dhe thjeshtë e vënë në dyshim kredibilitetin e procesit të një vendimmarrjeje nga ana e KZAP-it, i cili duhet të jetë një institucion, i cili ka integritet dhe duhet të ketë integritet të plotë”, tha Kryeziu, transmeton KosovaPress.
Ai kritikoi edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve se ka dështuar në dy takimet e fundit të marrë një vendim për Komunën e Gjilanit.
“Brenga jona tjetër si ‘Demokraci në Veprim’, e adresojmë edhe ndaj KQZ-së, organ i cili ka marrë vendimin për rinumërimin e votave. Edhe në dy mbledhjet e radhës ka dështuar, dhe në vazhdimësi është duke dështuar”, theksoi Kryeziu, dhe i bëri thirrje KQZ-së që të zhbllokojë sa më shpejt rezultatin e Gjilanit.