Microsoft ka njoftuar se telefonat e parë celularë të bazuar
në sistemin operativ Windows Mobile 6.5 do të arrijnë në treg më 6
tetor të këtij viti. Pajisjet e reja njëkohësisht do të janë edhe të
parat të cilat do të shiten nën emrin e marketingut “Windows Phone”.
Me Windows Mobile 6.5 Microsoft do të provojë të bind përdoruesit se
telefonat e bazuar në sistemin e tij operativ nuk janë të mirë vetëm
për punë, respektivisht ata ofrojnë mundësi po aq të mira edhe për
funksionet tjera të cilat u interesojnë përdoruesve “të rëndomtë” larg
mjedisit të punës.
Në mesin e risive më të reja në sistemin e ri operativ është
përfshirja e dyqanit online të aplikacioneve Windows Marketplace. Në
fakt, edhe pse deri tani kanë ekzistuar mijëra aplikacione për Windows
Mobile, nuk ka qenë aq e lehtë të gjenden dhe të transferohen në vet
pajisjen. Në Microsoft nuk kanë njoftuar se sa aplikacione janë
paraqitur dhe miratuar në dyqanin Windows Marketplace, mirëpo është
theksuar se në mesin e tyre janë edhe Netflix, Facebook e shumë lojëra.
Microsoft gjithashtu do të filloj zyrtarisht me shërbimin pa pagesë
My Phone e cila përdoruesve u mundëson krijimin e thjeshtë të kopjeve
të kontakteve, kalendarëve, porosive, fotografive dhe të dhënave tjera.
Shërbimi gjithashtu do të përmbajë funksionin “Find My Phone”, i cili
do të duhej t’u lehtësojë përdoruesve ta gjejnë pajisjen e humbur.
Risitë tjera përfshijnë konfiguracionin më të avancuar për
përdorues, mbështetje më të mirë për ekrane të ndjeshme në prekje,
shfletues i avancuar i internetit dhe mundësi më të shumta për
udhëheqje me postën elektronike.
Në mesin e kompanive të cilat së shpejti do të duhej të paraqisnin
celularët e tyre të bazuar në Windows Mobile 6.5 theksohen Acer, HP,
HTC, LG, Samsung, Sony Ericsson e Toshiba.