Opel në panairin e automjeteve të Gjenevës do të paraqes automjetin e parë elektrik - Ampera.
Opel ka paralajmëruar se emri i automjetit të tij revolucionar elektrik do të jetë Ampera. Automjeti me katër ulëse dhe pesë dyer, Opel Ampera do t’i paraqitet publikut në panairin e sivjetmë të automjeteve në Gjenevë, i cili mbahet nga 5 deri më 15 mars.
“Me Amperan Opel do të jetë prodhuesi i parë evropian i automjeteve i cili blerësve të vet do tu ofrojë disa qindra kilometra të vozitjes së vazhdueshme me rrymë”, ka thënë Alain Visser, drejtor i marketingut të General Motors (GM) për Evropë.
Teknologjia revolucionare e GM për motorizim elektrik e quajtur Voltec dallohet nga sistemet tjera të avancuara të motorëve. Për distanca më të vogla, deri në 60 kilometra, Ampera do të përdorë ekskluzivisht baterinë litium-jon e cila mbushet nëpërmes spinës së rëndomtë prej 230 voltësh. Derisa, për vozitje më të gjata automjeti do të vazhdojë me rrymën të cilën do ta gjenerojë motori i vogël me djegie të brendshme.
Ampera do të jetë automjet ideal për shumicën e evropianëve, sa për shembull, rreth 80 për qind e vozitësve në Gjermani brenda ditës kalojnë më pak se 50 kilometra largësi.
Informata shtesë për Opel Ampera do të na bëhen të njohura më 3 mars në panairin e automjeteve të Gjenevës.