Tentimi i dytë i prodhimit të një trashëgimtari të denjë të modelit tanimë të vjetër T630 do të mund të arsyetonte këtë titull për adhuruesit e këtij celulari legjendar.
Sony Ericsson nuk ka bërë punë edhe aq të mirë me modelin T650, që shihet edhe nga sasia e njësive të shitura, provoni të kujtoni sa njerëz që i njihni e kanë atë model, e atëherë kujtohuni sa kanë qenë prej atyre të cili kanë pasur apo madje ende kanë modelet T610 apo T630.
Sony Ericsson T700 është i hollë, shumë i hollë e pos kësaj është shumë i lehtë për një telefon modern. Pjesa dërmuese e sipërfaqes është nga alumini, e kështu është siguruar edhe fortësia a telefonit.
Dizajnerët janë kujtuar që aluminin ta përpunojnë në atë formë që të mos i mbetet shenjat e gishtërinjve, prandaj ky problem nuk do të ekzistojë për celularin në fjalë. Tastiera përmban taste të imëta, por të larguara nga njëra tjetra që e bën shumë të lehtë për ta përdorur.
Pjesët anësore të telefonit kanë vetëm tastet për zë dhe ato të fotoaparatit prandaj urdhrat e rastësishme janë zvogëluar në minimum.