“Prishtina zyrtare nuk do të bëjë kurrfarë kompromisi që shkel Kushtetutën e Kosovës dhe që cenon integritetin territorial të saj”, ka thënë zv/kryeministri Hajredin Kuçi në një intervistë për RTK-në. Numri dy i qeverisë tha se ky qëndrim do të mbahet deri në përfundim të bisedimeve për planin 6 pikësh të Ban Ki Munit, bisedime këto që po ndërmjetësohen nga vendet perëndimore.
Zyrtarët e qeverisë janë të vendosur që të mos lëshojnë pe para presionit ndërkombëtar lidhur me planin 6 pikësh të Ban Ki Munit, i cili shihet në Prishtinë si ndërhyrje në sovranitetin e Kosovës. Presidenti dhe kryeministri, mbrëmë e kanë hedhur poshtë propozimin, duke e paralajmëruar vazhdimin e bisedimeve për këtë çështje me partnerët ndërkombëtarë. Zëvendës kryeministri, Hajredin Kuçi, tha se qëndrimi i Prishtinës është i qartë dhe se nuk do të ketë kurrfarë kompromisi në dëm të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Sipas tij, kjo është vija e kuqe nga e cila, Prishtina zyrtare nuk mund të lëviz as në vazhdim të bisedimeve të tjera .
“Nuk do të ketë kompromis më pak se që është në Kushtetutën e Kosovës. Kushtetuta ka qenë vetë kompromis dhe çdo kompromis tjetër është një lloj bartje e sovranitetit dhe bartja e sovranitetit nuk mund të bëhet nga individ të caktuar por duhet bëhet ashtu si është paraparë në Kushtetutë. Unë jam i bindur se edhe bashkësia ndërkombëtare do të ketë mirëkuptim në këtë çështje “, tha Kuçi.
Numri dy i qeverisë tha se refuzimi që i bëhet planit 6 pikësh, nuk është refuzim ndaj vendosjes së misionit të EULEX-it, por sipas tij, nuk mund të bëhet shtrirja e EULEX-it duke legalizuar strukturat paralele në Kosovë.
“ Ne ngutemi që EULEX-i të shtrihet sa më shpjet që është e mundur por jo të shtrihet EULEX-it duke mundësuar ndoshta legalizimin e strukturave paralele apo krijimin e një realiteti që vështirë do të kthehej në pikën zero. Mbi të gjitha nuk dëshirojmë që të krijojmë iluzion që një pjesë e Kosovës po ndahet apo dikush që e ka fituar autoritetin mbi Kosovën ”,tha Kuçi.
Kuçi tha se Prishtina tashmë i ka ofruar propozimet e veta lidhur me planin, të cilat janë në funksion të ruajtjes së tërësisë territoriale të Kosovës, respektimit të Kushtetutës dhe të Planit të Ahtisarit. Sipas tij, refuzimi i planit do të vazhdojë nëse tentohet që të anashkalohen këto tri çështje.
(Enver Bajrami)