Ndërkohë që Barack Obama hyri në histori më 4 nëntor si presidenti i parë afrikano-amerikan, po atë ditë, pati edhe një zhvillim tjetër historik që ka të bëjë me ata që nuk dëgjojnë apo që kanë vështirësi dëgjimi.
NPR, Radio Publike Kombëtare organizoi një pritje natën e zgjedhjeve për personat që nuk dëgjojnë.
Ata provuan një teknologji të re që një ditë mund të ofrojë, në kohë reale, paralelisht me transmetimet direkte të radios edhe tekstin e shkruar të atyre që thuhen, për personat që nuk dëgjojnë.
Një grup i zgjedhur personash që nuk dëgjojnë patën rastin ta ndjekin natën e zgjedhjeve përmes teknologjisë së re në radio.
Rreth 28 milionë amerikanë kanë probleme me dëgjimin. Këtu përfshihen një përqindje e vogël, që thuajse nuk dëgjon fare, deri tek ata që kanë probleme më të vogla dëgjimi.
Specialistët thonë se shumica e këtyre njerëzve mund të përfitojnë nga teknologjia e re e bërë e njohur në studiot e Radios Publike Kombëtare. /VoA/